Joan Laporta sqaron të ardhmen e tre yjeve të Barcelonës mes spekulimeve për largim

Presidenti i Barcelonës, Joan Laporta, në një konferencë për mediumin spanjoll Mundo Deportivo, ka folur për të ardhmen e tre yjeve të Barcelonës, Joao Cancelo, Joao Felix dhe Frenkie De Jong.

Laporta bëri me dije se që të tre lojtarët do të vazhdojnë të mbeten pjesë e Barcelonës për sezonin e ardhshëm.

“Mendoj se që të dy Joao Cancelo dhe Joao Felix do të vazhdojnë tek Barcelona sezonin e ardhshëm. Shpresoj që Atletico nuk do të krijojë probleme. Nuk mendoj se Man City do ta parandalojë këtë gjithashtu”, ka thënë Laporta fillimisht.

“Do të jetë një zgjatje e marrëveshjeve të huazimit me një çmim fiks”, ka deklaruar i pari i Barcelonës.

Shumë spekulime e kishin rrethuar Barcelonën lidhur me largimin e mundshëm të De Jong në rast se holandezi refuzon që ta ul pagën e tij pas kontratës së re, por Laporta mendon se ai do të qëndrojë.

“Frenkie De Jong është shumë i lumtur këtu. Gjëja e fundit që ai dëshiron është të largohet nga Barcelona. Ai gjithmonë më ka thënë se dëshiron të jetë pjesë e Barçës dhe ne jemi të kënaqur me Frenkien gjithashtu”, është shprehur Laporta.

Barcelona do të synojë që të mbajë pjesën më të madhe të lojtarëve që kanë këtë sezon, pasi ata besojnë që mund të fitojnë trofe me ekipin aktual, pa pasur nevojë që të shpenzojnë para për transferime të reja. /Telegrafi/


Shtuar 23.03.2024 17:51