Jepet miratimi, 3 yjet e Interit i bashkohen Italisë

Roberto Mancini deklaroi hapur në konferencën për shtyp të ditës së djeshme se dëshiron të ketë në grumbullim edhe tre futbollistët e Interit, Nicolo Barella, Alessandro Bastoni e Stefano Sensi, duke vënë në lëvizje Federatën Italiane të Futbollit.

Kështu pas negociatash të shumta e ndërhyrjesh, është marrë miratimi që tre futbollistët zikaltër t’i bashkohen grupit të përfaqësueses nesër në Parma, në prag të ndeshjes me Irlandën e Veriut, e vlefshme për eliminatoret e Kupës së Botës Katar 2022.

Të tre futbollistët gëzojnë formë të mirë fizike, pasi janë stërvitur rregullisht gjatë ditëve të fundit, ndërsa sot kanë kryer edhe tamponët sërish, pasi vetëm pas përgjigjes së tyre, do të mund të vihen në dispozicion të Mancinit.

Veçanërisht prania e dy mesfushorëve Nicolo Barella e Stefano Sensi, i sjellin shumë qetësi teknikut të Italisë, pasi në këtë grumbullim mungojnë edhe emra si Jorginho e Cristante, për arsye dëmtimi dhe “të kaltrit” ishin të paktë në numër në këtë repart.

Shtuar 24.03.2021 12:03

Tags: ,