Ish-trajneri i Man Utd luajti rol shumë të rëndësishëm në kalimin e Hansi Flick tek Barcelona

“Rruga gjermane” është bërë një frazë e përdorur tek Barcelona gjatë gjashtë muajve të fundit, që prej se puna e Xavi Hernandez ishte vënë nën një rrezik serioz.

Një gamë e gjerë trajnerësh gjermanë duke përfshirë Hansi Flick, Jurgen Klopp, Thomas Tuchel dhe Julian Nagelsmann u përmendën si kandidatë potencial për të marrë drejtimin e blaugranasve.

Ishte kjo një rrugë që presidenti Joan Laporta vendosi ta ndjekë, pasi që prej rikthimit të tij si president i Barcelonës, ishte përfolur mjaft shumë për mundësinë e emërimit të një trajneri gjerman në stolin e klubit blaugranas.

Gjatë një intervistë të fundit, Laporta zbuloi se ai kishte folur me një këshilltar në vitin 2021 rreth shkollës gjermane të trajnerëve, dhe kishte qenë i intriguar nga mundësia që ta emërojë një të tillë në krye të ekipit të tij.

Gazeta katalanase Sport tani ka zbuluar se këshilltari në fjalë ka qenë ish-trajneri i Manchester United dhe përzgjedhësi aktual i Austrisë, Ralf Rangnick.

I famshëm për punën e tij taktike tek Schalke dhe Hoffenheimi, Rangicnk ka shpjeguar mënyrën e punës së trajnerëve gjermanë.

Kjo në njëfarë mënyre e shpjegon interesimin që kishte Laporta për të emëruar një trajner gjerman, mes diferencave që kanë trajnerët e lartpërmendur.

Barcelona më herët ka përfituar mjaft nga trajnerët e huaj për shkak të ideve të tyre, ndoshta askush më mirë se Frank Rijkaard, por është gjithashtu një rrugë e cila iu ka kushtuar shumë. /Telegrafi/


Shtuar 7.06.2024 18:23