Ish-sulmuesi i njohur rumun lartëson Kosovën: Përballjet ndaj tyre nuk do të jenë të lehta

Adrian Mutu ka paralajmëruar Kombëtaren e Rumanisë se përballjet me Kombëtaren e Kosovës nuk do të jenë aspak të lehta.

Legjenda rumune ka bërë një analizë Grupit I të kualifikimeve për Euro 2024, ku krahas Rumanisë dhe Kosovës, bëjnë pjesë edhe Zvicra, Izraeli, Bjellorusia dhe Andorra.

Ish-futbollisti i Interit, Juventusit dhe Chelseat madje e ka vlerësuar lartë ekipin “Dardan”, për të cilin thotë se rumunët duhet të jenë mjaft të kujdesshëm dhe të mos e shohin si punë të kryer fitoren.

“Nuk e shoh si një grup të lehtë. Shumë njerëz po thonë se nuk mund të ishte më mirë se kaq. Nëse i shikoni ndeshjet tona të fundit me Izraelin dhe me Zvicrën, nuk e di e kur kemi fituar për herë të fundit. Pastaj, nuk e kemi takuar ndonjëherë Kosovën. Në nivelin ndërkombëtar, Kosova ka lojtarë që performojnë në kampionate shumë të forta. Kushdo që thotë se është një grup i lehtë, mund të dëshirojë t’i bëjë më shumë presion përzgjedhësit, deklaroi për “sport.ro” Mutu, i cili aktualisht është trajner i ekipit rumun, Rapid Bucuresti.

Ditë më parë, Federata Rumune e Futbollit nuk siguroi se Kombëtarja e këtij shteti do t’i zhvillojë ndeshjet me Kosovën, për të cilat tha se duhet të konsultohet me Qeverinë e Rumanisë.

Madje, një ish-ministër i jashtëm rumun shkoi edhe më larg, duke thënë se Rumania nuk duhet të luajë me një shtet që s’e njeh, edhe nëse i humb të dyja ndeshjet 0:3.

Ndeshjet kualifikuese të Evropianit do të luhen në mes të marsit dhe nëntorit 2023./ h.ll/albeu.com


Shtuar 13.10.2022 10:59