Ish-gjyqtari i njohur Mateu Lahoz, jep mendimin e tij për golin e parë të Barcelonës ndaj Osasunës

Barcelona mposhti Osasunën në Riad me rezultat 2-0, për t’u kualifikuar në finale të Superkupës së Spanjës, aty ku do të përballen me rivalin e përbetuar Real Madridin.

Golat për blaugranasit në këtë takim i shënuan Robert Lewandowski (59’) dhe Lamine Yamal (93’).

Ishte goli i Lewandowskit ai që shkaktoi polemika të mëdha pas ndeshjes, pasi kishte shumë persona që aludonin se Christensen kishte faulluar paraprakisht lojtarin kundërshtar tek aksioni ku erdhi goli.

Sidoqoftë, gjyqtari i ndeshjes edhe pas konsultimit me VAR-in, mori vendimin që goli ishte i pastër dhe se nuk kishte asgjë të parregullt.

Lidhur me këtë rast ka reaguar edhe ish-gjyqtari i njohur spanjoll Mateu Lahoz, i cili sezonin e kaluar i dha fund karrierës së tij.

“Pajtohem me të gjithë, nuk kishte asgjë të gabuar me ndërhyrjen e Christensen”, ka thënë Lahoz për mediat spanjolle.

“Lojtarët duan të fitojnë një faull aq shumë sa që mund të shkojnë në ekstreme. Nuk ka asgjë këtu”, shtoi ai.

Lahoz me shumë mundësi po e thotë të vërtetën për Barcelonën tani, por kur ai ishte gjyqtar aktiv ishte mjaft i ‘ashpër’ karshi tyre.

Ai ndau drejtësinë në 49 ndeshje të Barcelonës ku shpërndau rreth 111 kartonë të verdhë për lojtarët blaugranas./Telegrafi/


Shtuar 12.01.2024 20:42