Interi pret Cagliarin, “zikaltërit” gati për të rivendosur distancën +11 me Milanin

Milani u rikthye te fitorja, pasi mposhti Parmën me rezultatin 1-3 në transfertën dhe ngushtoi në 8 pikë distancën me Interin kryesues, ndërsa zikaltrit do të zbresin në fushë mesditën e sotme në “San Siro” për t’u përballur me Cagliarin.

Me 9 ndeshje për t’u zhvilluar deri në fund, të besuarit e Antonio Contes janë në rrugën e mbarë drejt titullit kampion dhe deri tani kanë fituar të 10 ndeshjet e fazës së dytë, ndaj sot do të kërkojnë një tjetër sukses, për të mbyllur sa më shpejt llogaritë.

Në orën 15:00 në fushë do të zbresin tre skuadra në garë për zonën Champions, teksa Juventusi do të presë Genoan në “Allianz Stadium”, Napoli do të luajë në transfertën ndaj Sampdorias dhe Lazio në “Bentegodi” ndaj Veronës.

Të tre skuadrat, bashkë me Romën që do të presë Bolognën në orën 18:00 dhe Atalantën që në mbrëmje do të jetë mysafire në Firenze, do të garojnë deri në fund për një vend në zonën Champions, ndaj të gjithë përballjet e sotme premtojnë spektakël dhe luftë të fortë.


Shtuar 11.04.2021 09:56