Autoritetet spanjolle kanë konfirmuar se identiteti i Diogo Jotas, yllit të Liverpoolit, është verifikuar përmes targës së makinës së tij, pasi sulmuesi humbi jetën në një aksident tragjik bashkë me vëllain e tij, Andre Silva, në orët e para të së enjtes në Zamora, Spanjë.
Dy vëllezërit, të dy futbollistë profesionistë, udhëtonin me një Lamborghini Huracan, kur një shpërthim i gomës gjatë një manovre parakalimi bëri që makina të dilte nga rruga rreth orës 00:30 sipas orës lokale.
Automjeti u përfshi menjëherë nga flakët, duke krijuar një skenë të rëndë që tronditi opinionin publik. Zjarrfikësit ndërhynë për të shuar zjarrin, i cili përfshiu edhe zonën përreth me bimësi.
Sipas Jornal de Noticias, pavarësisht se makina u dogj pothuajse plotësisht, identiteti i viktimave u konfirmua në vendngjarje falë dokumenteve personale dhe veçanërisht targës së automjetit, e cila shërbeu si treguesi fillestar për identifikimin e tyre.
Megjithatë, për shkak të djegieve të rënda, ekspertët mjeko-ligjorë që kryen autopsinë në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Zamora u detyruan të aplikonin edhe teste të ADN-së dhe gjurmë gishtash për të garantuar konfirmimin ligjor të identitetit. Mostrat për analizë do të dërgohen në Madrid, siç konfirmoi zyrtari i qeverisë spanjolle, Ángel Blanco.
Sipas La Opinión – El Correo de Zamora, familjarët e Diogo Jotës, përfshirë bashkëshorten e tij, Rute Cardoso, mbërritën në institutin ligjor rreth mesditës së së enjtes.
Cardoso, me të cilën Jota ishte martuar vetëm 11 ditë më parë, dha dëshminë e saj në polici, duke shpjeguar se vëllezërit kishin planifikuar të kalonin natën në Benavente dhe të vazhdonin udhëtimin të enjten drejt Santanderit, ku do të merrnin një traget për në Portsmouth.
Çifti ka tre fëmijë së bashku dhe ndarja e papritur nga jeta e Diogo Jotës ka shkaktuar një valë trishtimi në botën e futbollit dhe më gjerë.