Elseid Hysaj shkoi te Lazio pa një prezantim zyrtar të klubit për të bërë bujë për transferimin e tij, por zhurmën e bëri vetë ai, duke kënduar këngën e famshme në të gjithë botën, “Bella Ciao”, që i kushtohet lëvizjes partizane në të gjithë botën.
Kohët e fundit kjo këngë është risjellë nga seriali “La Casa de Papel”, që gjithashtu është një produksion i realizuar mbi mesazhin e kundërshtimit të pushtetit dhe kontrollit të shtetit mbi gjithçka, në çfarëdo lloj mënyre.
Gjithsesi Hysaj e këndoi atë këngë dhe tifozët e Lazios u ndanë në dysh. Një pjesë e mirë e ultrasve, mbështetës të ideve fashiste thurën kritika e sharje për Hysajn, e një pjesë tjetër e shpërndanë videon me krenari se Lazio nuk është më një stereotip fashist.
Mes gjithë kësaj zhurme është dashur ndërhyrja e drejtorit sportiv të klubit. Vlonjati ka sqaruar se Hysaj e ka kënduar atë këngë në nder të serialit “La Casa de Papel” dhe nuk ka lidhje me pikëpamjet e tij. Ndërkohë gjithë videot e shpërndara nga lojtarët, u fshinë menjëherë nga rrjetet sociale. Gjithsesi, ne e kemi ende dhe mund ta shijoni.