“Gruaja qan 10 herë në ditë, faji i Putin”: Futbollisti ukrainas i Gijon gati të kapë armët

Vasyl Kravets, mbrojtësi i Sporting Gijon, është gati t’i japë fund futbollit dhe të kthehet në Ukrainë dhe të luftojë për vendin e tij, pas mësymjes së forcave ruse me armatime të rënda.

Për Radio Marca ai ka thënë: “Ata po vrasin njerëz, civilë, në spitale… Është i gjithë faji i Putin. Nuk dua të them që është faji i Rusisë, por i Putin. Ne jemi një vend që duam të jetojmë në paqe. Ne nuk duam të sulmojmë askënd, duam të jetojmë mirë dhe të qetë.

Unë, të them të vërtetën, dua të shkoj në luftë dhe të ndihmoj popullin tim. Por nuk mund të ndihmoj sepse nuk di si të qëlloj, si të lëviz, si të mbush një armë. E vërteta është se unë dua të ndihmoj.

Nëse do të mund të shkoja, do ta mbroja vendin tim. Është detyrim për zemrat e ukrainasve. Pothuashe të gjitha aeroportet tona janë të bllokuara. Nëse vendi im ka nevojë për të gjithë ukrainasit, unë do të largohem. Do të flas me Sporting dhe do të iki”.

Vasyl çdo 30 minuta telefonin familjarët e tij dhe kjo gjë po e rëndon edhe më tepër. “Unë nuk fle fare. Më telefonin mamaja dhe dëgjoj të shtëna. Unë jam duke u stërvitur, por mendoj vetëm për vendin tim, familjen time. Gruaja ime qan 8 ose 10 herë në ditë. Është e pabesueshme, janë të frikësuar për vdekje.

“Është faji i Putinit, vetëm i Putinit. Disa vende duhet të hyjnë në Ukrainë me armët e tyre. Ne jemi të fortë, por kemi nevojë për ndihmë. Ne nuk duam të vdesim dhe nuk duam të vrasim”, përfundon Vasyl Kravets. / h.ll/albeu.com


Shtuar 25.02.2022 15:10