Griezmann telefonoi pas ndeshjes Sanchezin, ai e kishte fyer pasi e humbi penalltinë

Marca raporton se sulmuesi i Atletico Madridit, Antoine Griezmann personalisht kontaktoi sulmuesin e Interit, Alexis Sanchez, duke i kërkuar falje për fyerjen e tij gjatë gjuajtjeve të penalltive të mërkurën.

Rasti ndodhi në humbjen që e pësoi Interi nga Atletico Madrid në ndeshjen kthyese të eliminimit direkt të Ligës së Kampionëve.

Sanchez humbi penalltinë dhe Griezmann u kap në kamera duke e quajtur reprezentuesin e Kilit: “Ai është një m*t, kiliani është një m*t!”.

Videoja u bë virale në rrjetet sociale, kështu që, sipas Marca, francezi kontaktoi personalisht Sanchezin për të kërkuar falje për sjelljen e tij të ulët.

Sipas raportit, Griezmann shpjegoi se ishte tepër i emocionuar dhe se objektivi i tij ishte të inkurajonte shokun e tij të skuadrës Jan Oblak dhe të mos ofendonte një kundërshtar. Sanchez thuhet se ka pranuar faljen e Griezmann.

Griezmann shënoi golin e barazimit në pjesën e parë, vetëm tre minuta pas golit të Federico Dimarco.

Nga ana tjetër, Sanchez u fut si zëvendësues nga bankina gjatë kohës shtesë, por humbi një goditje nga pika, duke kontribuar në eliminimin e Interit. /Telegrafi/