Golat e shpejtë të Nedim Bajramit/ Mesfushori kuqezi shënon gol që në minutën e parë te Rangers

Mesfushori i kombëtares shqiptare, Nedim Bajrami, po nis një aventurë të re, në një ekip të madh ndonëse jo në epokën e tij të lavdisë, por kur arrin të shënosh në Europë është gjithmonë bukur. Bajrami jo vetëm ia doli, dhe i dha vetes më shumë besim për sukses te Gllazgou Rejnxhërsi, por edhe pati një gol të veçantë.

Ai shënoi pas vetëm 56 sekondave, rrjeta më e shpejtë në Ligën e Europës këtë sezon, ndërsa gjigandëst skocezë triumfuan 2-0 në Suedi ndaj Malmos vendase.

Ky është një rekord i pjesshëm, ndonëse i rëndësishëm, por më i madh është rekordi që Bajrami ka me kombëtaren shqiptare.

Mesfushori realizoi që në sekondën e 23-të në ndeshjen Itali-Shqipëri në fazën e grupeve në Euro 2024, në stadiumin e Dortmundit, duke vendosur rekordin absolut të kampionateve europiane.

Natyrisht, ambiciet e Bajramit janë më shumë se kaq. Së pari, ai dëshiron të jetë titullar fiks tek Rejnxhërsi, dhe të fitojë tituj në Skoci dhe Europë.

Ndoshta puna dhe vazhdimësia më e madhe, dhe fati, do ta ndihmojnë, ndërsa 25-vjeçari e ka treguar me çdo fanelë se di të shënojë gola të mrekullueshëm.

E ka bërë në Serinë A disa herë, e ka bërë edhe me fanelën kuqezi, në eliminatoret e Europianit, siç ndodhi në Pragë ndaj Çekisë.


Shtuar 28.09.2024 14:40