Gjest i bukur nga FSHF: Të gjithë ish-lojtarëve të Shqipërisë u siguron biletat për ndeshjen e parë në Euro 2024

Federata Shqiptare e Futbollit ka ndërmarrë një iniciativë shumë të veçantë për ndeshjen e parë të Kombëtares shqiptare në Kampionatin Evropian “Gjermani 2024”.

Departamenti i Komunikimit në FSHF bën me dije se në stadiumin e Dortmundit, aty ku edhe do të luhet takimi i parë i kuqezinjve ndaj Italisë janë rezervuar vende për të gjithë ish-futbollistët e ekipit kombëtar që kanë luajtur qoftë edhe një minutë të vetme me fanellën shqiptare.

Të gjitha kostot e udhëtimit, qëndrimit dhe biletat e ndeshjes do të mbulohen nga FSHF, që dëshiron që të vlerësojë në këtë mënyrë të gjithë ata futbollistë dhe emra të mëdhenj të futbollit shqiptar, të cilët kanë përfaqësuar dhe kanë dhënë gjithçka për fanellën e Kombit në të kaluarën.

Shqipëria do të luajë ndeshjen e parë ndaj Italisë në Kampionatin Evropian “Gjermani 2024” më 15 qershor në ora 21:00 dhe mes mijëra tifozëve shqiptarë, do të jenë të pranishëm edhe shumë emra të mëdhenj të futbollit shqiptar dhe që kanë lënë gjurmë me ekipin kombëtar. /Telegrafi/


Shtuar 10.05.2024 19:58