Ministri i Sportit dhe Rinisë, Blerim Gashani, ka miratuar një mbështetje financiare të njëhershme prej 70,500 eurosh për sportistët dhe trajnerët kosovarë që fituan medalje në Lojërat Mesdhetare “Taranto 2026”. Shpërblimi është përcaktuar në varësi të llojit të medaljes.
Të lidhura
None found
Lajmin ministri e bëri të ditur përmes një postimi në Facebook, ku sqaroi se fondi do t’u ndahet sportistëve dhe trajnerëve si vlerësim për rezultatet e arritura në këtë aktivitet ndërkombëtar.
Sipas skemës së miratuar, fituesi i medaljes së artë do të përfitojë 10,000 euro, ndërsa trajneri i tij 5,000 euro. Për medaljen e argjendtë parashikohen 5,000 euro për sportistin dhe 2,500 euro për trajnerin, ndërsa medalja e bronztë shpërblehet me 3,000 euro për sportistin dhe 1,500 euro për trajnerin.
Gashani ka çmuar angazhimin dhe rezultatet e përfaqësuesve të Kosovës, duke theksuar se pas çdo medaljeje qëndrojnë puna dhe disiplina e sportistëve, por edhe krenaria që ajo i sjell vendit.
Ai ka nënvizuar gjithashtu se, në detyrën e ministrit, do të vijojë të angazhohet që arritjet e sportistëve të vlerësohen dhe të përkrahen nga institucionet. Në fund, ai u ka uruar sportistëve dhe trajnerëve suksese të mëtejshme.
Postimi i ministrit Gashani
Sot kam miratuar mbështetjen financiare në shumën e përgjithshme prej 70,500 eurosh për sportistët dhe trajnerët tanë, në vlerësim të rezultateve dhe medaljeve të fituara në Lojërat Mesdhetare “Taranto 2026”.
Kjo ndihmë financiare e njëhershme është ndarë sipas medaljeve të fituara:
Medalja e artë: 10,000 euro për sportistin dhe 5,000 euro për trajnerin.
Medalja e argjendtë: 5,000 euro për sportistin dhe 2,500 euro për trajnerin.
Medalja e bronztë: 3,000 euro për sportistin dhe 1,500 euro për trajnerin.
Me punën, disiplinën dhe rezultatet e tyre, sportistët tanë vazhdojnë ta përfaqësojnë me dinjitet Republikën e Kosovës në arenën ndërkombëtare. Çdo medalje është dëshmi e përkushtimit të tyre dhe një burim krenarie për vendin.
Si Ministër i Sportit dhe Rinisë, do të vazhdoj të angazhohem që rezultatet e larta sportive të marrin vlerësimin dhe mbështetjen institucionale, duke ofruar motivim, kushte dhe mundësi sa më të mira për sportistët e trajnerët tanë në rrugëtimin drejt arritjeve të reja.
Urime sportistëve dhe trajnerëve tanë për rezultatet e arritura dhe faleminderit për përfaqësimin dinjitoz të Kosovës!
