Edy Reja i kthehet skemës së tij të parapëlqyer 3-5-2 në përballjen e fundit të kësaj fushate eliminatore të Nations League, përballë Islandës, në “Air Albania” (e martë, 20:45). Dhe jo vetëm kaq, italiani 74-vjeçar pritet të surprizojë edhe me emrat që do të aktivizojë nga minuta e parë. Sipas të gjitha gjasave, Armando Broja nuk do të jetë në formacionin startues, për t’i lënë vend aktivizimit të Uzunit në krah të Sokol Cikalleshit.
Në mungesë të Arlind Ajetit, që sikurse konfirmoi edhe Reja, ka pasur temperaturë orët e fundit, në qendër të mbrojtjes me tre do të vendoset Gjasula, krah të cilit do të jenë Ismajli dhe Veseli.
Lajmi i mirë është aktivizimi i Balliut në krahun e djathtë të mesfushës, çka tregon se e ka kaluar shqetësimin fizik që ndjeu në përballjen me Izraelit (u zëvendësua në fillim të pjesës së dytë), ndërsa në të majtë, në vend të Hysajt (e pranoi se zhvilloi një nga ndeshjet e tij më të dobëta me Kombëtaren ndaj Izraelit), pritet të luajë titullar Lenjani.
Sa i përket mesfushës, në qendër pritet të luajnë Ramadani dhe Abrashi, ndërsa Bajrami paksa më i avancuar, pas dyshes sulmuese Cikalleshi-Uzuni./ss