Paris Saint-Germain duket se do ta ketë një verë tejet të ngjeshur, me gjashtë transferime që mund t’i bëjnë.
Klubi francez e mbylli një sezon tejet të dobët, duke mos arritur të triumfonin në Ligue 1, pasi Lille e fitoi trofeun në xhiron e fundit.
Një tjetër paraqitje e dobët për ta ishte edhe në Ligën e Kampionëve, duke u eliminuar nga Manchester City me rezultat të përgjithshëm 4-1.
Andaj, bordi i klubit francez është i gatshëm që të përpilojë një formacion ëndrrash për stinorin 2021/22, për të tentuar që të fitojnë të gjithë trofetë.
Duke filluar nga porta, PSG është afër transferimit të Gianluigit Donnarummas, që refuzoi vazhdimin e kontratës me Milanin, me një kontratë pesëvjeçare dhe me një fitim rreth 60 milionë euro deri në përfundim të marrëveshjes, raporton Ginaluca Di Marzio.
Një tjetër anëtar i Rossonerëve që mund të kalojë në Parkun e Princave është edhe Theo Hernandez, me mbrojtësin që ka kohë që është nën shënjestrën e parisienëve.
Mbrojtës tjetër që mund të afrohet me PSG është edhe Sergio Ramos që duket se nuk do të qëndrojë te Real Madridi, shkaku që kërkesa e tij për kontratë dyvjeçare nuk po plotësohet nga Florentino Perez.
Nga ana e krahut të djathtë, skuadra franceze mund të përforcohet me Achraf Hakimin e Interit, pasi kampioni i Serie A-së është i detyruar të shesë lojtarë për të shmangur krizën ekonomike të shkaktuar nga COVID-19.
Në mesfushë po ashtu mund të ketë ndryshime, me Georginio Wijnaldumin që raportohet se tashmë ka arritur marrëveshje me një kontratë trevjeçare.