Nga 19 deri më 23 shtator, Tirana është mikpritëse e takimit të 42-të të kapitullit europian të FBI National Academy Associates (FBINAA), ku janë mbledhur drejtues dhe specialistë të sigurisë nga SHBA-ja dhe Europa.
Axhenda e siguruar nga Euronews Albania përmban një gamë të gjerë çështjesh që lidhen me sigurinë dhe goditjen e kriminalitetit. Mes tyre janë krimi i organizuar, terrorizmi, ekstremizmi në internet, grupi “764”, përdorimi i dronëve, krimi kibernetik, gjurmimi i parave të krimit, sekuestrimi i pasurive, narkotikët dhe ekstradimet.
Të lidhura
None found
Në këtë aktivitet janë përfshirë përfaqësues të institucioneve nga Shqipëria dhe SHBA-ja. Programi parashikon praninë e drejtuesve të Policisë së Shtetit, SPAK-ut, BKH-së dhe Prokurorisë. Pala amerikane përfaqësohet edhe nga Spencer Horn, Zëvendës Ndihmës Drejtor në FBI, si dhe nga Brendan Collins, atasheu i FBI-së në Sofje.
Lufta kundër krimit të organizuar
Punimet hapen me trajtimin e masave kundër krimit të organizuar dhe me përvojën e Budapest Organized Crime Task Force, e cila shënon 25 vjet bashkëpunim.
Pjesë e diskutimeve është gjithashtu modeli amerikan Joint Terrorism Task Force, përmes të cilit disa agjenci bashkojnë kapacitetet për hetimin e kërcënimeve terroriste.
Përfaqësuesit shqiptarë do të trajtojnë ndërkohë problematikat që lidhen me krimet ndërkufitare dhe migracionin e paligjshëm.
Grupimi online “764”
Vëmendje e veçantë i kushtohet grupit “764”, të cilin autoritetet amerikane e lidhin me veprimtari kriminale në internet dhe me forma të ekstremizmit të dhunshëm.
Një zyrtar i FBI-së nga Berlini do të mbajë prezantimin me temë “Nihilistic Violent Extremism and 764”. Më pas, pjesëmarrësit do të shqyrtojnë format e reja të ekstremizmit të dhunshëm dhe eksperiencën e Shqipërisë në përballjen me to.
Ekspertiza e FBI-së për dronët
Konferenca përfshin edhe një sesion të dedikuar për dronët. Specialistë të FBI Laboratory Division do të paraqesin teknologjitë e përdorura gjatë ekzaminimit dhe analizimit të tyre.
Pas këtij prezantimi, fokusi zhvendoset te krimi kibernetik dhe te koordinimi ndërkombëtar për luftimin e grupeve kriminale.
Gjurmimi i parave të krimit
Ndjekja e të ardhurave të siguruara nga veprimtaritë kriminale përbën një tjetër çështje kryesore të takimit. Në këtë kuadër do të analizohet roli që ka inteligjenca financiare në luftën kundër krimit të organizuar.
Në axhendë figuron edhe tema “From Confiscation to Public Good”, e cila trajton mënyrat se si pasuritë e sekuestruara dhe të konfiskuara mund të vihen në shërbim të qëllimeve publike.
BKH prezanton një hetim për narkotikët
Një rast konkret në fushën e narkotikëve, i hetuar nga Byroja Kombëtare e Hetimit, është përfshirë gjithashtu në program. Çështja do të paraqitet nga Eduart Kaloshi, hetues pranë BKH-së.
Krahas diskutimeve teorike, pjesëmarrësit do të ndajnë kështu edhe përvojat e krijuara gjatë hetimeve konkrete.
Procedurat e ekstradimit
Dita përmbyllëse do të përqendrohet te ekstradimet dhe bashkëpunimi ndërkombëtar. Diskutimet do të trajtojnë procedurat që zbaton Shqipëria, vështirësitë e hasura në praktikë dhe format e bashkëpunimit me shtetet e tjera.
