Valteri Botas i prishi festën për pole-position numër 100 kampionit të botës në fuqi, Luis Hemilton, duke i rrëmbyer vendin e parë për një kohë të papërfillshme në provat zyrtare të Çmimit të Madh të Portugalisë në Formula 1.
Finlandezi regjistroi kohën e tij më të shpejtë në xhiron e parë të kualifikuesve të treta dhe askush nuk arriti më pas të mposhte atë kohë që kishte regjistruar ai. Hemilton ishte ai që i shkoi më afër, por regjistroi një kohë prej 0,007 sekondash më të ngadaltë.
Maks Verstapen u mundua që të mbante ritmin e dy makinave Mercedes, por nuk iu afrua kohëve të tyre edhe për faktin se doli nga pista në xhiron e parë të shpejtë dhe më pas ishte nën trysni për të regjistruar një kohë zyrtare e për të mos përfunduar në vendin e 10. Kështu, me xhiron e tij të vetme në kualifikuesen e tretë, ai siguroi vendin e tretë në start, duke lënë pas shoku e skuadrës, Serxhio Perez.
Ferrari nuk mundi të bënte më shumë se vendi i pestë me Karlos Sainz, i cili për herë të parë që kur ka marrë drejtimin e Ferrarit, regjistroi një kualifikuese më të mirë se Sharl Leklerk, i cili në teori është piloti kryesor. Ky i fundit do të niset nga vendi i 8 në vijën e nisjes. Një vend nderi edhe për Sebastian Fetel, i cili do të niset nga vendi i 10 me makinën e tij Aston Martin.