Erling Haaland nuk reziston më, i kërkon largimin Dortmundit

Kur je 20 vjeç dhe ke shënuar në karrierën tënde si profesionist 104 gola, një shifër e frikshme dhe e padëgjuar më parë, sigurisht që do të kesh klube të mëdha, me para në dorë, tek dera e shtëpisë. Kjo është situata aktuale e Erling Halaand. Norvegjezi po impresionon gjithnjë e më shumë me paraqitjet e tij dhe në 49 ndeshje që ka zbritur në fushë me fanellën e Dortmundit, ku kaloi për 20 milionë euro në janar të 2020-ës, ka shënuar 49 gola.

Shumë klube të pasura janë të gatshme të shpenzojnë shifra marramendëse, teksa verdhezinjtë kanë vendosur të mos e lëshojnë kartonin e tij për më pak se 180 milionë euro. E ardhmja e tij duket se do të jetë një “telenovelë” dhe së fundmi, sipas medieve në Spanjë, sulmuesi i ka kërkuar drejtuesve të Dortmundit largimin në fund të sezonit aktual, duke shprehur dëshirën e tij për të ndryshuar fanellë dhe për të luajtur që edicionin tjetër në një klub të madh. Barcelona, Reali i Madridit dhe Manchester City janë tri skuadrat më shumë të interesuara për shërbimet e Halaand, dhe natyrisht që për momentin kanë më tepër potencial ekonomik për të kënaqur Dortmundin dhe përfaqësuesin e Halaand, Mino Raiolën.

Ky i fundit, në një intervistë të dhënë për mediat në Spanjë u shpreh se Halaand është aq i mirë saqë mund të luaj me çdo skuadër në botë, por duke mos dhënë indicie rreth një transferimit të mundshëm që në sesionin veror të merkatos. Me sa po kuptohet Erling Halaand do të jetë çështja madhore e merkatos së ardhshme.

Shtuar 30.03.2021 02:03