Veprimet e Simon Kjaer gjatë minutave dramatike kur zemra e Christian Eriksen trembi të gjithë tifozët e futbollit, u vlerësuan nga e gjithë bota.
Kapiteni i Danimarkës kontribuoi në shpëtimin e jetës së shokut të tij të skuadrës dhe tregoi një udhëheqje të jashtëzakonshme kur organizoi lojtarët që të krijonin “gardh” rreth Eriksen kur po trajtohej nga mjekët.
Gjithashtu, Kjaer, së bashku me portierin Schmeichel, ishte ai që i qëndroi pranë edhe bashkëshortes së mesfushorit të Interit, që zbriti në fushë e tmerruar.
Sipas “Sportmediaset”, Milan ka vendosur që të dëgjojë zërin e tifozëve dhe ta vlerësojë qendërmbrojtësin duke i dhënë shiritin e kapitenit.
Kapiteni i kuqezinjve, që nga viti 2018 është Alessio Romagnoli, i cili në pjesën e dytë të sezonit e humbi vendin e titullarit. Shiriti i kaloi portierit Donnarumma, i cili nuk rinovoi me Milanin pas përfundimit të sezonit.
32-vjeçari Simon Kjaer iu bashkua Milanit në janar 2020, pas disa muajve zhgënjyes që kaloi te Atalanta, dhe u shndërrua menjëherë në një nga udhëheqësit e ekipit. Në një vit e gjysmë ka luajtur 58 ndeshje dhe ka qenë një nga protagonistët e kthimit të Milanit në Champions League.
Trajneri i Milanit, Stefano Pioli, do të diskutojë me lojtarët në korrik, kur të rinisë stërvitja, por mediat italiane garantojnë se vendimi është marrë: kapiteni i ardhshëm i Milanit do të jetë Simon Kjaer.