E BUJSHME/ Ernest Muçi drejt gjigandit francez për një shifër rekord

Nisja e një sezoni fantastik me sku adrën e Legias së Varshavës, ka bërë që edhe klube të mëdha të interesohen për Ernest Muçin. Futbollisti i Kombëtares shqiptare ka shënuar 7 gola deri tani, mes kampionatit dhe Ligës së Konferencës, teksa dopieta ndaj Aston Vilës ishte një reklamë për të në arenën europiane.

“Panorama Sport” mëson se destinacioni i ardhshëm i Muçit mund të jetë Monako. Bëhet fjalë për një klub të madh në Francë dhe shifra e transferimit mund të shkojë deri në 15 milionë euro.

Aktualisht shqiptari menaxhohet nga Shkumbin Qorrmehmeti, por mësohet se në lojë për një bashkëpunim ka hyrë edhe agjenti i famshëm Jorge Mendes, i cili ka menaxhuar për vite Kristiano Ronaldon dhe aktualisht ka nën vete shumë lojtarë të njohur.

Kampionati polak është një trampolinë e mirë për shumë lojtarë, teksa nga Leh Poznan apo Legia janë transferuar për shifra të larta drejt Anglisë dhe Francës. Rekordin e shitjes e mban Jakub Moder, që u ble nga Brajtoni për 11 milionë euro.

Kështu, nëse gjithçka realizohet për Muçin, ai mund të bëhet edhe lojtari që është shitur më shtrenjtë nga Polonia drejt një vendi tjetër. Gjithashtu gazeta zbulon se edhe klubi i Tiranës do të përfitonte 1.5 milionë euro nga shitja, pasi zotëron 10% të kartonit.

Aktualisht Monako renditet në vendin e parë në kampionatin francez, ndërsa sa i përket repartit të avancuar, ata vuajnë mungesën e Brel Embolo, i cili ka këputur ligamentet dhe do kohë që të rikthehet.

NDESHJA – Për shkak të kalendarit të ngjeshur, Ernest Muçi e nisi nga stoli takimin e djeshëm që Legia e Varshavës zhvilloi në Holandë.

Skuadra e shqiptarit u mposht minimalisht me AZ Alkmarin në transfertë, edhe pse dominoi në gjithë takimin, pasi këta të fundit mbetën me një lojtar më pak.

Sulmuesi i Kombëtares u hodh në fushë në minutën e 62-të, por tërheqja e holandezëve mbrapa për të ruajtur rezultatin, nuk la shumë hapësira për Muçin, i cili tentoi disa herë me krosime drejt zonës, por nuk u shfrytëzuan mirë nga shokët e ekipit.

Aktualisht Legia ndodhet në kuotën e tri pikëve, po aq sa Aston Vila, Zrinjski dhe AZ Alkmari dhe golashënuesi më i mirë e ekipit është Muçi, me dopietën e shënuar ndaj Aston Vilës.

 

 


Shtuar 6.10.2023 17:20