Drejtori i Real Madridit pas shortit me Liverpoolin: Dy skuadra historike, por ne jemi gati

Drejtor i Marrëdhënieve Institucionale të Real Madridit, Emilio Butragueno ka folur pas hedhjes së shortit për çerekfinale të Ligës së Kampionëve, ku Mbretërit do të luajnë ndaj Liverpoolit.

Në shortin e hedhur sot në Nyon të Zvicrës, fati deshi që dy rivalë të vjetër si Reali dhe Liverpooli të luajnë mes vete. Pas shortit kanë folur nga tabori i Los Blancos, ku Butragueno ka vlerësim maksimal për anglezët e Liverpoolit.

“Ne jemi dy skuadra historike që kemi luajtur një rol vendimtar në rritjen e kësaj gare. Do të jenë dy ndeshje të mrekullueshme për t’u parë”, ka thënë fillimisht Butragueno.

“Ne jemi përballë një skuadre vërtet të vështirë pavarësisht faktit që ata kanë disa lojtarë të rëndësishëm jashtë shkaku i lëndimeve”.

“Ata janë një grup vërtet i mirë lojtarësh që luajnë me intensitet dhe kanë disa armë shumë të rrezikshme. Liverpooli është një ekip i shkëlqyeshëm, një ekip i jashtëzakonshëm me kaq shumë virtyte. Ata luajnë me intensitet të madh, kanë një trajner të shkëlqyeshëm, kanë lojtarë shumë të rrezikshëm përpara”.

“Ne do të duhet të jemi në të mirën tonë. Lojtarët tanë kanë një përvojë të pasur në këto lojëra dhe ne jemi gati për të”, përfundoi drejtori dhe legjenda e Realit. 

Shtuar 19.03.2021 02:03