Superiorja rikthehet të shtunën me dy ndeshje mjaft të forta, me Vllazninë që pret Partizanin dhe duhet të bëjë pa kapitenin Erdenis Gurishta, i pezulluar me kartonë të verdhë.
Një ekip i penalizuar për këtë javë është edhe Bylisi, që nuk do të ketë dy futbollistë në dispozicion për duelin me Kastriotin. Xhoi Carkanji vazhdon të shlyejë dënimin e Disiplinës.
I ndëshkuar me të verdhë është edhe Anthony Beji, shënuesi më i mirë i ballshiotëve. Nigeriani nuk mund të luajë të dielën, ndërkohë që për Kastriotin mungesë e sigurt është ajo e Silvestër Shkallës.
Tirana gjithashtu nuk do të ketë dy titullarë kundër Apolonisë. Erion Hoxhallari dhe Kristi Vangjeli kanë plotësuar numrin e kartonëve të verdhë. Me karton të kuq për fierakët mungon kapiteni Benjamin Agyare.
Një tjetër lojtar i pezulluar për këtë javë është mesfushori Shqiprim Taipi i Skënderbeut. Trajneri Migen Memelli i ka bërë llogaritë pa të në ndeshjen e së dielës me Kukësin. Taipi humbet kështu derbin me vëllanë e tij, Gjelbërimin.