De Ligt-Bayern Munchen vetëm çështje orësh

Drejtori sportiv i Bayern Munich, Hasan Salihamidzic do të udhëtojë drejt Torinos për të finalizuar operacionin De Light.

Numri 2 i klubit kampion të Gjermanisë nuk dëshiron të humbasë kohë për të mbyllur marrëveshjen me bardhezinjtë për shtatlartin holandez që ka nisur fazën përgatitore me Juventusin por e ka bërë të qartë dëshirën për t’u larguar nga Piemonte.

“Bild” në Gjermani zbulon detaje nga puna e bërë prapa kuintave gjatë ditëve të fundit pasi Bayernin e ka ndihmuar shumë edhe lojtari që e ka vendosur në krye të listës së preferencave. Mbrojtësit i është ofruar një kontratë 5-vjeçare me 10 milionë në vit dhe mbetet për t’u konturuar edhe marrëveshja mes klubeve për vlerën e kartonit.

Juventus kërkon shumën e klauzolës 120 milionë ndërsa Bayern ofron 75 menjëherë dhe 15 të tjera në formë bonusesh lehtësisht të arritshme. Të dy klubet janë në mes të rrugës por mund të afrohen në qëndrime prandaj vizita e Salihamidzic në Torino mund të rezultojë vendimtare.


Shtuar 11.07.2022 13:41

Tags: