Tekniku italian u largua nga Interi disa javë pasi që e fitoi titullin e Serie A, por e refuzoi një rikthim në Premier Ligën angleze te Tottenhami.
Antonio Conte ka treguar arsyen se pse e refuzoi shansin që të drejtojë skuadrën angleze Tottenham, ku “Gjelat” ishin shumë pranë emërimit të ish-trajnerit të Interit, përcjell KosovaPress.
Trajneri italian ia solli Interit titullin e parë të Serie A në 11 vite, në sezonin 2020-21, ku më pas u largua disa javë më vonë nga klubi italian sepse krerët e “Nerazzurëve”, i kishin treguar se duhet të shesin disa lojtarë kryesor për shkak të krizës financiare në të cilën gjenden.
Conte ishte afër rikthimit në Premier Ligën angleze, ku në të kaluarën e kishte fituar titullin me Chelsean, kështu duke filluar bisedimet me “Gjelat”, por 51 vjeçari vendosi kundër marrjes së timonit të klubit londinez.
“Në përgjithësi, më pëlqejnë sfidat dhe kam pranuar shumë sosh gjatë karrierës sime. Edhe në skuadrat e mëdha që kam qenë trajner, nuk ishin kurrë favorite kur jam emëruar në krye të tyre”, tha Conte për “Gazzetta dello Sport”.
“Sidoqoftë, nëse ka diçka që nuk më bind mua, preferoj që mos ta pranoj, pavarësisht shumës së parave që më ofrohet”, shtoi trajneri italian.
Tottenham Hotspur ishte shumë pranë emërimit të Contes si trajner, para se marrëveshja mes dy palëve të dështojë.