Dueli vendimtar i Kupës së Botës 2026 midis Spanjës dhe Argjentinës nuk do të përcaktojë thjesht fituesin e këtij edicioni, por mund të riformësojë edhe hierarkinë e përjetshme të trofeve të fituar.
Të lidhura
None found
Ekipi argjentinas, me Lionel Messin në krye, synon të ruajë kurorën e siguruar në Katar në vitin 2022 dhe të arrijë numrin katër të titujve botërorë, duke u radhitur përkrah Gjermanisë dhe Italisë në mesin e skuadrave më të suksesshme të të gjitha kohërave.
Nga krahu tjetër, Spanja synon të marrë trofeun e dytë në historinë e saj, pas atij të fituar në vitin 2010 në Afrikën e Jugut.
Me pesë tituj të fituar në edicionet e viteve 1958, 1962, 1970, 1994 dhe 2002, Brazili mbetet padyshim kombëtarja më e suksesshme në historinë e turneut. Veç kësaj, “Seleçao” është i vetmi ekip që ka qenë prezent në çdo edicion të kompeticionit.
Pas Brazilit, Gjermania dhe Italia kanë nga katër tituj secila. Gjermania ka triumfuar në vitet 1954, 1974, 1990 dhe 2014, ndërsa Italia ka festuar fitore në vitet 1934, 1938, 1982 dhe 2006.
Argjentina, me tre tituj botërorë (1978, 1986 dhe 2022), në rast se e mposht Spanjën në finalen e vitit 2026, do të shkojë në kuotën e katërt dhe do të pozicionohet në vendin e dytë të listës, në shoqërinë e Gjermanisë dhe Italisë.
Uruguai dhe Franca kanë fituar nga dy herë Kupën e Botës. Uruguai pati sukses në vitet 1930 dhe 1950, ndërsa Franca e ngriti trofeun në vitet 1998 dhe 2018.
Vetëm me një trofe secila janë Anglia dhe Spanja. Anglezët arritën lavdinë në vitin 1966, kurse spanjollët në vitin 2010. Nëse “Furia Roja” fiton finalen e së dielës, do ta dyfishonte numrin e titujve dhe do të bëhej pjesë e grupit me Uruguain dhe Francën që kanë nga dy trofe.
Nga ana tjetër, Holanda mban një rekord aspak të këndshëm, duke u bërë kombëtarja me më së shumti humbje në finale pa mundur ta fitojë asnjëherë trofeun.
Ekipi “Tulipan” ka qenë nënkampion në tri raste (1974, 1978 dhe 2010), ndërkohë që Hungaria dhe Çekosllovakia kanë humbur nga dy finale. Kroacia dhe Suedia kanë mbetur një herë nënkampione të botës.
