Më 23 korrik, ditën e enjte, është parashikuar të zhvillohet mbledhja e fundit plenare e këtij sesioni të Kuvendit. Informacione pranë Euronews tregojnë se axhenda do të përmbajë ekskluzivisht miratimin e dokumenteve që lidhen me reformën territoriale.
Në sallën e Parlamentit do të sillen dy raporte të veçanta, njëri i përgatitur nga Partia Socialiste dhe tjetri nga Partia Demokratike. Megjithatë, duke pasur parasysh peshën e mazhorancës, pritet që të kalojë dokumenti i socialistëve, të cilët kanë siguruar 84 vota, aq sa u duhen për ta bërë realitet.
Të lidhura
None found
Ajo që mbetet pezull është nëse krahas raportit, Partia Socialiste do të depozitojë edhe variantin e saj për konfigurimin e ri gjeografik të pushtetit vendor. Diskutimi përqendrohet në dilemën nëse vendi do të vazhdojë me 61 bashki apo do të hidhet një skemë e re që mund të shkojë në 50, apo edhe në 40 njësi vendore.
Sipas burimeve, propozimi që do të hidhet në tryezë do të fokusohet vetëm te rishikimi i ndarjes së territorit, pa ndërhyrë në kuadrin ligjor të vetëqeverisjes lokale dhe as në atë të financave të saj. Diskutimi mbi këto dy ligje parashikohet të zhvendoset për në sesionin e ardhshëm parlamentar, i cili fillon në shtator.
Ngelet për t’u parë nëse deri të enjten, shumica do të mbajë qëndrimet e shprehura më parë dhe do ta paraqesë për votim propozimin për një hartë të re administrative me një numër më të reduktuar bashkish.
