Chelsea ka tronditur merkaton duke arritur akordin për transferimin e Morgan Rogers nga Aston Villa, për shumën 117 milionë funte. Marrëveshja ka surprizuar Arsenalin, që shihej si kandidati kryesor për yllin anglez.
Klubi nga “Emirates” pritej të paraqiste ofertën zyrtare pasi futbollisti të përfundonte angazhimet e tij në Kupën e Botës. Në kampin londinez besohej se bisedimet për kushtet personale nuk do të paraqisnin vështirësi, pasi Rogers ishte i hapur për një lëvizje drejt Arsenalit.
Të lidhura
None found
Por Chelsea ndërhyri përpara rivalëve. Blutë i zhvilluan në diskrecion negociatat me Aston Villan dhe vendosën në tavolinë 117 milionë funte, propozim që u pranua menjëherë nga klubi, pavarësisht se nuk planifikonte ta shiste lojtarin.
Drejtuesit e Arsenalit nuk e kishin llogaritur gatishmërinë e Chelseat për të investuar një shifër kaq të lartë në këtë moment të merkatos. Interesimi i Chelseat për Rogers kishte nisur që në fund të sezonit të kaluar.
Një rol vendimtar në finalizimin e këtij operacioni ka pasur drejtori i rekrutimit dhe talenteve, Joe Shields. Rogers u bind gjithashtu nga projekti i ri sportiv i klubit dhe nga mënyra se si iu prezantua vizioni i trajnerit Xabi Alonso, duke zgjedhur Stamford Bridgen.
Arsenali pritet tani të kthejë vëmendjen te opsione të tjera. Klubi ka arritur marrëveshje për Christos Tzolis, ndërsa mund të shtojë përpjekjet për sulmuesin e Paris Saint-Germainit, Bradley Barcola.
Nëse nuk do të dalin pengesa, Morgan Rogers do të nënshkruajë kontratë gjashtëvjeçare me Chelsean dhe kontrollet mjekësore pritet t’i kryejë të hënën.
