Data 1 nëntor ishte dita kur portieri i Kombëtares së Kosovës Samir Ujkani, e la futbollin aktiv, duke e mbyllur karrierën e tij në moshën 35-vjeçare.
Përmes një postimi në rrjete sociale, Ujkani njoftoi vendimin që kishte marrë, e po ashtu shprehu emocionet dhe përjetimet e tij gjatë gjithë karrierës, duke falënderuar klubet në të cilat ka luajtur dhe të gjithë bashkëpunëtorët e tij.
Por në fund të letrës përshëndetëse ai shkroi: “çdo fund, sjellë një fillim të ri dhe fillimi im i ri, po nis tani”.
Dhe Samir Ujkani nuk kishte pse të pres gjatë për “fillimin e ri”. Pas karrierës së suksesshme në skuadra të ndryshme në Evropë e po ashtu eksperiencës dhe suksesit në Kombëtaren e Kosovës, Ujkani është ftuar t’i bashkohet Kombëtares, por me përgjegjësi të reja.
Presidenti i FFK-së Ademi priti në zyrën e tij Ujkanin dhe e falënderoi për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në fanellën dardane dhe njëkohësisht për ta mirëpritur në postin e ri si zëvendësdrejtor i Kombëtares së Kosovës.
I pari i FFK-së i uroi shumë suksese në detyrën e re dhe shprehu mirënjohjen e tij për kontributin e tij.
Tutje, presidenti Ademi kërkoi nga ish-portieri i Kosovës angazhim dhe përkushtim maksimal edhe në postin e ri.
Nga ana tjetër, Ujkani u shpreh i lumtur për detyrën e re që presidenti Ademi dhe FFK i besuan në Kombëtaren e Kosovës.
Ai falënderoi presidentin dhe pohoi se do ta jap maksimumin në këtë pozitë dhe se do të punojë me shumë dashuri e përkushtim për kombëtaren, ashtu siç kishte bërë deri dje në fushën e gjelbër./albeu.com