Carlo Ancelotti i tregon Viniciusit ‘sekretin’ për t’u bërë lojtari më i mirë në botë

Trajneri i Real Madridit, Carlo Ancelotti, ka deklaruar gjatë vikendit se në nivelin që Vinicius luajti ndaj Gironës, ai mund të llogaritet si lojtari më i mirë në botë. Tani tekniku italian e ka përsëritur këtë gjë në konferencën për shtyp para sfidës ndaj Leipzig.

“Los Blancos” morën një fitore me rezultat të thellë 4-0 ndaj Gironës, duke e çuar në pesë pikë diferencën në tabelë me klubin katalanas, dhe tani janë të përqendruar tërësisht tek dueli me Leipzigun në Ligën e Kampionëve.

“Nëse ai arrin ta mbajë këtë formë, po. Ai ka shumë kualitet dhe shfaq shumë intensitet në driblimet dhe sprintet e tij. Nëse ai e bën këtë vazhdimisht për 90 minuta, atëherë rivalët nuk do të jenë në gjendje të merren me të në pjesën e dytë”, ka thënë Ancelotti.

Braziliani ishte i përfshirë në fitoren ndaj Gironës duke shënuar një gol spektakolar dhe duke dhuruar një asistim të bukur për Jude Bellingham.

Kjo ka bërë që Ancelotti ta motivojë brazilianin duke pretenduar se nëse ai luan në këtë mënyrë, do teë jetë më i miri në botë.

Në fund italiani u pyet edhe për serinë pozitive të rezultateve së fundmi, duke thënë se për këtë ka kontribuar atmosfera e mirë.

“Si një seri, e shoh solide, serioze dhe një ekip të motivuar, me një atmosferë të mirë, askush nuk ankohet, të gjithë kontribuojnë. Gjithçka po shkon mirë për momentin, përkundër vështirësive që kemi pasur, kjo falë karakterit të lojtarëve”, përfundoi 64-vjeçari. /Telegrafi/


Shtuar 12.02.2024 22:22