Caktohet data e fillimit dhe e mbarimit e sezonit të ri të Serie A

Kur kanë mbetur edhe 4 javë nga fundi i sezonit aktual, që ka tashmë për kampion Interin, Liga e Serisë A në Itali është mbledhur për të caktuar edhe datat e sezonit të ri.

Kështu është vendosur që kampionati të startojë më 22 gusht, ose rreth 40 ditë pas përfundimit të Kampionatit Europian dhe sipari pritet të ulet pikërisht më 22 maj të vitit 2022, ndërsa shorti për kalendarin e ri pritet të hidhet gjatë muajit korrik.

Gjatë kësaj periudhe është parashikuar edhe një pushim dy javor për festat e Krishtlindjes dhe vitit të ri, konkretisht nga data 23 dhjetor deri më 6 janar.

Risia e vërtetë vjen nga Kupa e Italisë, që këtë herë është menduar të organizohet vetëm me 20 skuadra, ose thënë ndryshe vetëm klubet që militojnë në Serinë A dhe Serinë B. Synimi i uljes së numrit të skuadrave është që të rritet konkurrenca dhe vlera e kompeticionit, që është parashikuar të startojë më 15 gusht.

Megjithatë për të marrë miratimin final ndryshimi i formatit të Kupës së Italisë, është e nevojshme një mbledhje e Këshillit të Federatës Italiane të Futbollit, që ka edhe kompetencën e një vendimi të tillë.


Shtuar 6.05.2021 10:07

Tags: