Bylisi eliminon Tiranën nga Kupa

Bylisi përmbys Tiranën 2-1 (në kohën shtesë) dhe kualifikohet në çerekfinalet e Kupës së Shqipërisë. Janë dashur 120 minuta lojë në Vorë, për të vendosur emrin e skuadrës që do të vazhdojë më tej rrugëtimin në kompeticionin e dytë më të rëndësishëm në vend.

Tirana nis shumë mirë ndeshjen dhe kalon në avantazh me Ernest, që debuton me gol me fanellën bardheblu. Mallakstriotët kundërpërgjigjen me Markun pak minuta më vonë dhe rikthejnë ekuilibrin. Pjesa e parë mbyllet në barazim 1-1.

Të dyja skuadrat mundohen që të gjejnë golin e avantazhit në pjesën e dytë, por pa arritur që të gjejnë rrugën e rrjetës. 90 minutat e kohës së rregullt nuk nxjerrin një fitues në Vorë. Mbyllet në barazim 1-1 sfida Tirana-Bylis dhe për të mësuar emrin e skuadrës që do të kualifikohet në çerekfinalet e Kupës së Shqipërisë duhet të luhen 30 minutat e kohës shtesë.

Janë ballshiotët ata që kalojnë në avantazh me Ruçin në minutën e 113-të të takimit dhe fitojnë të gjithë ndeshjen me rezultatin 2-1. Bylisi kualifikohet mes 8 më të mirave të Kupës së Shqipërisë, ndërsa për Tiranën përfundon këtu rrugëtimi në këtë kompeticion.


Shtuar 14.01.2025 17:35