Broja në listën e West Ham por Tuchel dëshiron ta testojë te Chelsea

Armando Broja mund të qëndrojë në Londër ku është kthyer pas huazimit te Southampton. Sulmuesi i Kombëtares Shqiptare ka ngjallur interesin e West Ham që gjatë ditëve të fundit është hedhur në sulm për të siguruar shërbimet e bomberit kuqezi.

Sinjalet mediatike gjatë ditëve të fundit janë bërë përherë e më të shpeshta ndërsa në garë për të siguruar shërbimet e tij janë edhe Everton, Newcastle dhe Napoli.

“Çekanët” kanë nisur kontaktet me presidencën e re të Chelseat që zotëron kartonin e sulmuesit me origjinë nga Shkodra, ndërsa trajneri David Moyes ka ndezur dritën jeshile për finalizimin e operacionit që duket i vështirë.

Trajneri Tuchel nuk nxitohet gjithsesi pasi ka shprehur dëshirën që t’i testojë edhe një herë të gjithë lojtarët e kthyer nga huazimet.

“Ata janë lojtarët tanë dhe do të dëshiroja shumë që t’i kisha pjesë të skuadrës në fazën përgatitore e më pas të marr një vendim se çfarë të bëj me ta”.

Nuk është i qartë çmimi që Chelsea i ka vendosur sulmuesit 20-vjeçar por mendohet se “blutë” planifikojnë të arkëtojnë deri në 25 milionë pound.


Shtuar 7.06.2022 13:03