Pas fitimit të titullit kampion me 27 fitore resht dhe asnjë humbje, ekipi i Besëlidhjes në basketboll hedh sytë tashmë nga fitimi edhe i Ligës Unike.
Në një intervistë për RTSH, Presidenti i ekipit Ylli Ujka dhe trajneri Afrim Bilali, shprehen optimist se rezultati pozitiv nuk do të mungojë as në këtë synim të ri për ekipin.
“Duhet përgëzuar gjithë ekipi “Besëlidhja Basket”. Është një ekip kompakt, ku unë presidencën e kam marrë nga ky vit dhe e mendoja që në fillim që do të dalim kampion.
Sigurisht i gjithë stafi është profesionist dhe që nga dita e parë që m’u propozua ky projekt e kam marrë me zemër duke parë nga trajneri, nga i gjithë ekipi, nga Bashkia që e mbështeti këtë projekt.
Puna në grup u bë në mënyrë perfekte. Trajner Afrimi, ka bërë një punë të jashtëzakonshme. Djemtë tanë kampion kanë dhënë shpirtin, duke mos humbur asnjë ndeshje dhe kjo i ka prirë gjithë punës sonë”, shprehet Presidenti Yjka për suksesin e arritur këtë vit , ku Besëlidhja Basket ka shkruar historinë e saj në sport me gërma të arta.
Afrim Bilali, thekson se baza e fitores ishte projekti serioz që në fillim që solli një dimension tjetër për ekipin.
“Në fillim të këtij viti ndryshuam gjërat dhe projekti mori një dimension tjetër. Bërthama e lojtarëve ishin shqiptarë dhe që unë i njihja shumë mirë. Ta mbyllësh me këtë rezultat 27-0 është një kënaqësi dhe ka qenë sfidë më vete.
Ishte një premtim që ia kisha dhënë bordit që ne përveç kampionatit, do të bëjmë dhe një rekord fitoresh pa asnjë humbje. Jemi mbështetur në mënyrën më të mirë të mundshme nga Presidenca dhe Bordi drejtues.
Unë mendoj që Besëlidhja me komponentët që ka, është e denjë për t’u përballur denjësisht me këto ekipe në Ligën Unike. E tregojnë dhe faktet që përballja me Prishtinën u nda në sekondë të fundit. Është synimi i radhës dhe pse jo fitimi i Ligës Unike”, tha trajneri Afrim Bilali .
Presidenti i ekipit Ylli Ujka, thekson se projekti i Besëlidhja Basket, është afatgjatë dhe do të sjellë rezultate të tjera të suksesshme.
“Unë e shoh çdo projekt vetëm afatgjatë. Gjithçka ka një të mire, të japësh për qytetin tënd është krenari. Pra, dita që është kurorëzuar vendi i parë në Lezhë , të shikosh njerëzit që gëzohen, pra po marrin një trofe kombëtar para qyteteve me sponsor , me histori, me Bashki, me klube zinxhir, me plot historik, nuk është pak. Ne kemi fituar kampionatin kombëtar.
Sigurisht do të bëjmë direkt dhe Ligën Unike dhe objektivi janë garat në Kupat e Europës, por hap pas hapi. Kemi një projekt që po e trajtojmë tani bashkë me Bashkinë.
Shpresojmë që të na mbështesë dhe Federata ose Shteti, të bëjmë një pallat sporti se është e paimagjinueshme që qyteti jonë të mos ketë pallat sporti. Ne jemi në fazën që bashkë me kryetarin e bashkisë i kemi hyrë këtij projekti dhe besoj se shumë shpejt do të dalim me një lajm konkret në lidhje me kohën”, thekson Ujka.