Benzema rikthehet në Instagram pas dy muajsh dhe befason me një lëvizje radikale

Futbollisti francez, Karim Benzema ka riaktivizuar llogarinë e tij në Instagram, të cilën e fshiu në fund të vitit të kaluar, por më parë vendosi të fshijë pothuajse të gjitha publikimet e mëparshme.

Shumëkush përmendi si arsye kritikat e ashpra në rrjetet sociale, të cilat ai nuk mundi të përballonte, pasi u shpall fajtori kryesor për rezultatet e dobëta të skuadrës në këtë sezon, dhe veçanërisht e fajësojnë atë për “zhdukje” në ndeshjet e mëdha.

Paraqitjet e dobëta për Al-Ittihad bënë që ai të përqeshej nga fansat dhe t’i jepej pseudonimi i veçantë “Ben Hazima”. Kuptimi i këtij pseudonimi i përkthyer nga gjuha arabe është “biri i humbjes”.

Para se të rimarrë llogarinë e tij, Benzema kishte më shumë se 76 milionë ndjekës, 2000 publikime (nga koha e tij në Real Madrid, me kombëtaren franceze, në klubin e tij të ri dhe disa publikime nga sponsorët e tij) dhe ndiqte 137 llogari, ndër të cilat të gjitha ish-bashkëlojtarët e Real Madridit.

Megjithatë, një nga vendimet e para që mori pas kthimit të tij ishte të fshinte të gjitha fotot e lidhura me futbollin dhe la vetëm një foto të tij me Topin e Artë.

Gjithashtu, ai la vetëm shtatë postime dhe shtatë llogari që i ndjek: GQ Middle East, Adidas, Bugatti, Al-Ittihad, Donatella Versace, Jean Paul Gaultier dhe Real Madrid.

Kujtojmë, Benzema nuk u paraqit në fillim të përgatitjeve të Al-Ittihad për vazhdimin e sezonit në Arabinë Saudite, dhe trajneri Marcelo Gallardo e largoi atë nga miniturneu që e priste skuadrën në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe nuk e lejoi të merrte pjesë në stërvitje.

Edhe pse francezi u rikthye në stërvitje, madje u fol edhe për ndërhyrje të Qeverisë së Arabisë Saudite për të qetësuar tensionet, trajneri i Al Ittihad i kërkoi Benzemës që të vazhdonte stërvitjen në mënyrë të pavarur, por ish-ylli i Realit refuzoi dhe më pas i zemëruar la stërvitjen dhe statusi i tij është ende në pikëpyetje. /Telegrafi/


Shtuar 10.02.2024 11:25