Rezultate surprizuese dhuroi e Mërkura në Champions League. Dueli i madh ose një finale e parakohshme u luajt në “Stamford Bridge” ku kampionët në fuqi të Europës duhet thënë se u shkurorëzuan nga Real Madrid, më saktë nga Karim Benzema personalisht.
Një paraqitje mbreslënëse e francezit që po bën një sezon të shkëlqyer me 37 gola të shënuar në çdo kompeticion dhe ku sot me një tripletë mundi i vetëm Tuchel.
Me sfidën që nisi të qetë, ishte një kombinim perfekt në 21’ mes Vinicius dhe Benzema që mbyllën aksionin me golin e shënuar me kokë nga francezi. Edhe 3 minuta më pas, sërish bomber 34-vjeçar me kokë dyfishoi duke shokuar londinezët.
Këta reagojnë me golin e Havertz në 40’ por në pjesën e dytë një gafë e Mendy me Rudiger i dha mundësi Benzema të shënonte për të mbyllur ndeshjen 3-1, pothuajse një gjysmëfinale e arritur për Real Madridin.
Në duelin tjetër erdhi surpriza edhe më e madhe ku Villarreali që po “vret” çdo skuadër të madhe mposhti edhe Bayern Munchen. Në një ndeshje shumë te luftuar, Villarreali jo vetëm që i bëri ballë bavarezëve që ishin super favoritë sonte por dhe fituan 1-0 teksa një gol shumë i diskutuar iu anulua gjithashtu vendasve.
Ishte një “black out” për skuadrën e Nagelsman ashtu si ndaj Salzburg në 1/8 në ndeshjen e parë teksa Arnaut Danjuma ishte heroi i mbrëmjes me golin e realizuar në 8’. Në 41’, Coquelin shënoi një supergol nga vija anësore pothuajse por VAR e anuloi për pozicion të parregult teksa bavarezët u përpoqën shumë në fraksionin e dytë por pa gjetur golin. Në “Allianz Arena” duhet një tjeter Bayern për ta parë në gjysmëfinalen e Championsit.