Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka shprehur vlerësimin e tij për regjisorin Visar Morina dhe veprën e tij kinematografike “Shame and money”. Ai bëri të ditur se të dielën i dorëzoi çmimin për filmin më të mirë në PriFest, ndërsa të martën e priti regjisorin në Zyrën e Kryeministrit.
Përmes një postimi në Facebook, Kurti ka shkruar se Morina vjen nga Çikatova e Vjetër e Drenasit, vendi ku forcat serbe vranë disa prej familjarëve të tij në prill të vitit 1999. Sipas tij, regjisori ka vijuar rrugëtimin deri në Berlin të Gjermanisë, duke u shndërruar në një nga regjisorët më të spikatur të Kosovës dhe të kombit shqiptar.
Të lidhura
None found
Kurti ka treguar se në pritjen e zhvilluar në Zyrën e Kryeministrit ishte i shoqëruar nga Ministrja e Kulturës dhe Turizmit, Saranda Bogujevci, si dhe nga Drejtorja e Qendrës Kinematografike të Kosovës, Blerta Zeqiri.
“Të dielën pata nderin t’ia ndaj çmimin e më të mirit në PriFest për filmin ‘Shame and money’, ndërsa të martën bashkë me Ministren e Kulturës dhe Turizmit, Saranda Bogujevci, dhe Drejtoren e Qendrës Kinematografike të Kosovës, Blerta Zeqiri, pritëm në Zyrën e Kryeministrit regjisorin Visar Morina”, ka shkruar Kurti.
Kryeministri është ndalur edhe te mënyra se si filmi paraqet realitetin, duke e cilësuar atë si një dramë të fuqishme sociale.
“Dihatja e kamerës mbi qafën e djersitur të Shabanit, nuri vezullues i çehres së brengosur të Hatixhes, me familje njerëzish ashtu siç janë në botën familjare qysh ajo është, shpaloset një dramë e fortë sociale e cila nuk të shqitet më nga mendja pasi që s’ia shqet dot sytë për ato dy orë”, ka deklaruar Kurti.
Ai e ka lidhur filmin e Morinës me krijimtarinë e regjisorëve Ken Loach dhe Mike Leigh, duke thënë se një bashkëpunim i tyre për të trajtuar klasën e varfër punëtore shqiptare në Kosovë do të prodhonte një rezultat të ngjashëm.
“Sikur Ken Loach dhe Mike Leigh të bëheshin bashkë për të xhiruar një film bashkëkohor të klasës së varfër punëtore shqiptare në Kosovë atëherë rezultati do të ishte filmi ‘Shame and money’ i Visar Morinës”, ka shkruar ai.
Kurti ka njoftuar se “Shame and money” do të nisë të shfaqet në CinePlexx më 25 shtator, ndërsa ka bërë thirrje për ta ndjekur filmin.
“Patjetër shikojeni”, ka shkruar Kurti.
