Forma e lartë që po tregon këtë sezon në elitën e futbollit rumun Albion Rrahmani, ka bërë që ai të bie në syrin e ekipeve të mëdha evropiane.
Sipas asaj që raporton mediumi rumun ProSport, klubi i radhës që ka shprehur interesim për shërbimet e sulmuesit kosovar është Benfica.
Rrahmani po kalon në një formë fantastike këtë sezon, duke qenë lojtari kryesor i Rapid Bukureshtit me plotë 14 gola të shënuar dhe tri asistime në 16 ndeshje të luajtura.
Për transferimin e tij në Portugali tashmë ka raportuar edhe mediumi portugez Record.pt, ku sipas tyre Rrahmani është futur në listën e dëshirave të Benficës nga presidenti Rui Costa, i cili ka mbetur i mahnitur me potencialin e tij.
Klubi portugez madje kishte dërguar edhe skautët për të përcjellur Rrahmanin në fitoren me rezultat 4-0 në derbi që Rapidi e arriti ndaj Steaua Bukureshtit, aty ku 23-vjeçari shkëlqeu me dy gola të shënuar.
Sidoqoftë, për të siguruar shërbimet e Rrahmanit, Benfica duhet të paguajë rreth 8 milionë euro, çmim ky i vendosur nga drejtuesit e klubit rumun.
Kujtojmë se më herët ishte raportuar se interesim për Rrahmanin ka pasur edhe nga Liga Premier, aty ku Aston Villa përmendej si një destinacion i mundshëm i sulmuesit kosovar. /Telegrafi/