Aventura e Karim Benzemas me Al-Ittihadin në Ligën Saudite nuk ka shkuar sipas planit dhe tani ish-sulmuesi i Real Madridit po kërkon të gjejë një rrugëdalje pas vetëm disa muajve në Jeddah.
Sipas mediumit francez L’Equipe, 36-vjeçari është në bisedime me një ekip të ri në Shtetin e Gjirit, andaj spekulimet se ai mund të ribashkohet me Cristiano Ronaldon në Al-Nassr tashmë janë rritur.
Sukseset e Benzemas dhe Ronaldos tek Real Madridi
Benzema dhe Ronaldo që të dy iu bashkuan Real Madridit në verën e vitit 2009 dhe së bashku korrën suksese të mëdha në kryeqytetin e Spanjës, duke fituar katër herë Ligën e Kampionëve dhe dy herë La Ligën në mesin e trofeve tjerë.
Së bashku ata numërojnë 642 gola të shënuar brenda nëntë sezoneve, ani pse shumica besojnë se francezi luajti më mirë pas largimit të Ronaldos në drejtim të Juventusit në 2018.
Tani Benzema thuhet se ka marrë lejen për të luajtur diku tjetër në huazim për pjesën e mbetur të sezonit, por me kushtin që është klub i Ligës Saudite.
L’Equipe pretendon se Benzema ka folur për një lëvizje të mundshme tek një klub që deri më tani mbetet i panjohur por është me qendër në Riad, andaj thashethemet për kalim tek Al-Nassr kanë dalur në dritë.
Al Nassr apo Al Hilal? Ronaldo apo Neymar?
Nga 18 klube të Ligës Saudite, katër prej tyre janë me bazë në kryeqytetin e Arabisë Saudite, ani pse nuk mund të përjashtojmë Al-Riyadh dhe Al-Shabab, por këto dyja realisht nuk kanë shumë mundësi.
Kjo e lë Al-Nassr të Ronaldos, Manes në një anë dhe atë të Al-Hilal me emra si Neymar, Ruben Neves, Koulibaly në anën tjetër.
Mbetet të shihet se cili do të jetë hapi i ardhshëm i Benzemas dhe cila do të jetë zgjedhja e tij./Telegrafi/