Beckham vazhdon të ëndërrojë për dyshen Messi-Ronaldo te Inter Miami

David Beckham ka një ëndërr dhe nëse këmbngul fort dhe vepron me vendosmëri ëndrrat mund të bëhen realitet. Ish-mesfushori i Manchester United dhe Realit të Madridit aktualisht është pronari dhe presidenti i klubit amerikan Inter Miami. Ëndrra e Beckham është të bashkojë në një skuadër dy yjet e futbollit që kanë bërë historinë në dy dekadat e fundit dhe që bashkë numërojnë 11 Topa të Artë, Cristiano Ronaldon dhe Lionel Messin. Në një intervistë për mediat amerikane Beckham ka folur rreth mundësisë që Ronaldo dhe Messi një ditë të jenë pjesë e Inter Miami.

“Kur morëm drejtimin e Inter Miami, e dinim që gjithmonë do të flitej për lojtarët që mund të sillnim këtu. Ronaldo, Messi, Neymar, gjithmonë diskutimet bëhen rreth këtyre emrave. Nuk mendoj se do të ishte një vendim i vështirë për ta për t’u bashkuar me ne, pasi ky është një vend fantastik. Miami është një qytet që i tërheq yjet e mëdhenj që kanë luajtur në Evropë“, theksoi Beckham.

Aktualisht Cristiano Ronaldo i cili ka mbushur 36 vjeç ka edhe një vit kontratë me Juventusin por mundësitë më të mëdha janë që portugezi të largohet në fund  të këtij sezoni, edhe pse për momentin do të jetë e vështirë që ai të largohet nga futbolli i madh europian për t’u transferuar në MLS. Lionel Messi ndërkohë është në skadencë kontrate me Barcelonën në fund të këtij sezoni, por me marrjen e presidencës nga ana e Joan Laportës janë rritur shanset që ylli argjentinas i cili në qershor do të mbushë 34-vjeç të rinovojë me Barcelonën kështu që tifozët e Inter Miami dhe David Beckham duhet të presin edhe pak kohë për të bërë realitet ëndrrën e tyre.


Shtuar 23.03.2021 11:04