Bardhi: Dinamo nuk bie, rikthejmë stemën tradicionale

Zhgënjimi i humbjes së radhës ndaj Vllaznisë në “Loro Boriçi” nuk e ka “mundur” presidentin e Dinamos, Adrian Bardhi.

Menjëherë pas ndeshjes ai zbriti në dhomat e zhveshjes së skuadrës dhe foli me nota inkurajuese para grupit të futbollistëve, madje duke i përgëzuar ata për lojën, sidomos në fundin e sfidës.

Dinamo e ka komplikuar jo pak sezonin pas kësaj humbjeje, sepse ka rrëshqitur në vend të parafundit, me 20 pikë, duke u parakaluar tashmë edhe nga Kastrioti.

Blutë kanë poshtë vetes në klasifikim vetëm Skënderbeun, kundërshtarin e radhës.

BESIMI

Situata është vërtet e vështirë, por presidenti Adrian Bardhi beson fort se Dinamo do të jetë pjesë e elitës së futbollit shqiptar edhe sezonin e ardhshëm.

Në një bisedë për “Panorama Sport”, ai është shprehur optimist për menaxhimin e duhur të ndeshjeve të mbetura, që ai i konsideron si 13 finale.

“Jemi në një situatë të vështirë, nuk ka diskutim, por kam besim të plotë se Dinamo do të qëndrojë. Në Shkodër humbëm një finale, por kemi edhe 13 finale të tjera përpara.

Nuk e meritonim të humbnim me Vllazninë, sepse në pjesën e dytë luajtëm në zonën e saj, por tani duhet të shohim përpara. E them me bindje se do të qëndrojmë në Superiore, sepse kjo Dinamo është bërë për pretendime serioze dhe jo të luftojë për mbijetesë. Ne, ose unë si president, po ia bëj shërbimin në çdo aspekt.

Pres dhe besoj se skuadra do të reagojë, pasi ka në përbërje jo pak lojtarë me përvojë të gjatë dhe karrierë. Nuk di çfarë të them më shumë, shpresoj që në Korçë të vijë kthesa e madhe në rezultate”, është shprehur fillimisht numri një i klubit dinamovit, Adrian Bardhi, i cili ka investuar këtë sezon për një skuadër që minimalisht do të pretendonte vendet europiane.

STEMA

Sezoni i Dinamos është shoqëruar me kritika nga ana e tifozëve, edhe pse skuadra u rikthye në elitë pas 10 vitesh dhe presidenti Bardhi ka nisur gjithçka nga zeroja.

Përveç kritikave për lojën dhe rezultatet e skuadrës në fushë, një temë shumë e prekshme ka qenë ajo e ndryshimit të stemës. Për gazetën, kreu i klubit deklaroi dje se në sezonin e ri, ku organizimi do të jetë shumë më ndryshe, do të rikthehet edhe stema tradicionale e Dinamos.

“Po, do të rikthejmë stemën e vjetër, atë tradicionale të Dinamos. Gjatë organizimit në verë menduam për diçka ndryshe, diçka të kohës, por absolutisht jo për të fshirë të kaluarën e klubit.

Do të rikthehet stema që ishte dhe mund t’ju them se organizimi i Dinamos do të jetë krejt ndryshe. Unë do të jem shumë më afër skuadrës dhe klubit”, ka përfunduar presidenti i “nëndetëses”, që ka një plan të qartë për atë që kërkon të arrijë në krye të klubit.


Shtuar 6.03.2022 08:56

Tags: ,