Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë, Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve të Republikës së Shqipërisë, Shoqata e Prokurorëve të Republikës së Shqipërisë dhe Forumi i Grave Gjyqtare të Shqipërisë kanë bërë të ditur se do t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese për ligjin që rregullon pagat e magjistratëve.
Sipas qëndrimit të përbashkët të katër organizatave, projektligji për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 96/2016, “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, është miratuar nga mazhoranca gjatë orëve të mesnatës, duke shoqëruar procesin me shkelje të pretenduara të kërkesave kushtetuese.
Të lidhura
None found
Magjistratët kërkojnë pezullimin e menjëhershëm të zbatimit të ligjit, shfuqizimin e tij për mospërputhje me Kushtetutën dhe shqyrtimin me përparësi të çështjes nga Gjykata Kushtetuese.
Në deklaratën e tyre, shoqatat nënvizojnë se procedura parlamentare është zhvilluar pa konsultim efektiv me grupet e interesit dhe me një dëgjim që, sipas tyre, ka qenë vetëm formal. Ata përmendin gjithashtu miratimin e projektligjit përtej afatit kushtetues, mungesën e një analize financiare nga Këshilli i Ministrave dhe hyrjen e menjëhershme në fuqi të ligjit.
Katër organizatat shprehen se do të vijojnë përpjekjet për rikthimin e të drejtave kushtetuese të magjistratëve, të cilat, sipas tyre, janë cenuar hapur nga ligji i miratuar në mesnatë.
“Me keqardhje kemi ndjekur procedurën parlamentare për miratimin e projektligjit ‘Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 96/2016, Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë’. Që në fillim, kjo procedurë është karakterizuar, në vlerësimin tonë, nga shkelje të kërkesave kushtetuese, duke nisur nga miratimi i projektligjit përtej afatit kushtetues, mungesa e një analize financiare nga Këshilli i Ministrave, mungesa e konsultimit efektiv dhe dëgjimi tërësisht formal i grupeve të interesit dhe, në fund, hyrja e menjëhershme në fuqi e ligjit”, thuhet në deklaratë.
Shoqatat argumentojnë se ligji nuk prek vetëm statusin financiar të magjistratëve, i cili lidhet drejtpërdrejt me garantimin e pavarësisë së tyre, por cenon edhe bazat e shtetit të së drejtës, për shkak të mosrespektimit të hapur të një vendimi të Gjykatës Kushtetuese.
Ato deklarojnë se do t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese me të njëjtën urgjencë me të cilën, sipas tyre, projektligji u shqyrtua, u miratua dhe u dekretua.
“Me të njëjtën urgjencë me të cilën ky projektligj u shqyrtua, u miratua dhe u dekretua, do t’i drejtohemi Gjykatës Kushtetuese, duke kërkuar pezullimin e zbatimit të ligjit, shfuqizimin e tij si të papajtueshëm me Kushtetutën, si dhe shqyrtimin e çështjes me përparësi”, shprehen përfaqësuesit e gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Organizatat e drejtësisë thonë se kanë besim të plotë te integriteti i procesit kushtetues dhe se Gjykata Kushtetuese do të rivendosë standardet kushtetuese që, sipas tyre, janë shkelur. Ato presin që ky proces të sqarojë çështjet e ngritura dhe të rrëzojë përpjekjet për diskreditimin e magjistratëve dhe të kërkesave të tyre.
“Theksojmë edhe një herë se kjo çështje nuk ka të bëjë me interesa financiare, siç është tentuar, në mënyrë të shtrembëruar, t’i paraqitet opinionit publik gjatë gjithë këtij procesi. Ajo lidhet me respektimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, garantimin e pavarësisë së organeve të drejtësisë dhe mbrojtjen e themeleve të shtetit të së drejtës”, thuhet në qëndrimin e përbashkët.
Katër shoqatat theksojnë se do të përdorin çdo mjet ligjor që Kushtetuta dhe ligji u vënë në dispozicion për mbrojtjen e këtyre parimeve dhe vlerave kushtetuese.
