Thiago Alcantara është duke u konsideruar nga Barcelona për t’u emëruar si ndihmëstrajner sipas raportimeve të fundit në Spanjë, ku madje thuhet se tashmë kanë filluar kontaktet e para.
33-vjeçari i cili ka luajtur vetëm një ndeshje për Liverpoolin këtë sezon, do të largohet nga ‘Anfield’ pas përfundimit të kontratës më 30 qershor.
Mesfushori u bë pjesë e Liverpoolit nga Bayern Munichu në 2020 dhe kishte bërë 98 paraqitje me fanellën e tyre, por që nuk pati shumë fat me lëndime. Gjatë kësaj kohe, ai ka fituar gjithashtu FA Cup dhe Community Shield.
Gjiganti katalanas thuhet se është vënë në ‘gjueti’ për të gjetur një ndihmëstrajner i cili mund të flas rrjedhshëm gjuhën spanjolle dhe gjermane, për t’iu bashkuar stafit të Hansi Flick.
Dhe duke marrë parasysh faktin që Thiago është lojtar i lirë në treg, ish-ylli i Barcelonës po konsiderohet si opsion. Në fakt, një raportim nga Diario AS sugjeron se Barcelona ka qenë në kontakt me reprezentuesin spanjoll për të diskutuar mundësinë e kësaj lëvizje.
“Një mesfushor me një talent të veçantë, ai gjithashtu ka qenë gjithmonë një lojtar me shpirt të mirë, por me shumë karakter”.
“Ai do të ishte profili ideal, por ka pasur pesimizëm brenda klubit kur ata kanë kontaktuar rrethin e lojtarit”, thuhej në raportin e gazetës spanjolle.
Thiago i cili ka luajtur nën urdhrat e Flickut gjatë aventurës së tij shtatëvjeçare në ‘Allianz Arena’, është në mesin e kandidatëve potencialë së bashku me Javi Martinez, Marc Bartra dhe Ivan Rakitic. /Telegrafi/