Arbnor Muja shënon gol në ndeshjen debutuese me Samsunspor

Sulmuesi shqiptar Arbnor Muja ka gjetur rrugën e rrjetës në ndeshjen e tij të parë me fanellën e ekipit të ri Yilport Samsunspor në duelin ndaj Antalyaspor.

Ky duel mes dy skuadrave turke po zhvillohej në kuadër të javës së 25-të në elitën e futbollit turk.

Muja e nisi ndeshjen nga banka rezervë, për t’u inkuadruar pastaj në minutën e 69-të.

Po zhvillohej minuta e 91-të e ndeshjes kur Muja u gjend mjaft mirë në zonë për të shënuar për 2-0 pas asistimit të bashkëlojtarit të tij Carlo Holse.

Me këtë fitore Samsunspori ka shkuar në kuotën e 29 pikëve në Superligën e Turqisë, duke bërë një hap të madh në luftën për mbijetesë.

Kujtojmë që Muja u bë pjesë e ekipit turk para tri ditësh pas një aventure në Belgjikë me Royal Antwerpin, duke nënshkruar një kontratë për tri vite e gjysmë. /Telegrafi/


Shtuar 12.02.2024 22:07