Aplikoi për staf sigurie jashtë stadiumeve të Europianit, arrestohet një i dyshuar i ISIS

Alarmet për terrorizëm në Gjermani para Kampionatit Europian të Futbollit janë bërë disi të shumta kohët e fundit.

Kërcënimeve të shumta që kanë ardhur nga i vetëquajturi Shteti Islamik, sot u është shtuar edhe një alarm tjetër, që ka marrë përmasa edhe më të mëdha.

Një mbështetës i dyshuar i ISIS-it u arrestua një javë para fillimit të Europianit, sipas asaj që u komunikua nga zyra e prokurorit federal.

Sipas një zëdhënësi të autoriteteve të Karlsruhes, i dyshuari u arrestua në aeroportin e Këln të premten.

Hetuesit thonë se burri, i cili ka shtetësi të trefishtë gjermane, marokene dhe polake, transferoi para në shtator 2023 në një llogari që i përkiste një dege të grupit terrorist.

Sipas mediave gjermane, burri aplikoi gjithashtu për të punuar si “stjuard” dhe staf sigurie për eventet mbështetëse jashtë stadiumeve gjatë Kampionatit Europian, por nuk pati sukses.

Gjykata ka urdhëruar mbajtjen e tij në qeli, pasi po hetohet me dyshimin se i përket një organizate terroriste jashtë vendit dhe se ka shkelur ligjin për tregtinë e jashtme dhe pagesat.

Gjatë kontrollit në shtëpinë e tij, hetuesit sekuestruan telefona celularë, mbajtës të dhënash, kompjuterë dhe “incizime të dyshimta”.

Ministrja e Brendshme gjermane Nancy Faeser tha se vendi po përgatitet për “çdo rrezik të imagjinueshëm”.

Në Gjermani priten rreth 2.7 milionë tifozë në stadiume dhe deri në 12 milionë në evente publike.


Shtuar 10.06.2024 20:27

Tags: