Në vigjilje të ndeshjes mes Realit të Madridit dhe Milanit, Karlo Ançeloti u pyet edhe një herë për çështjen e “Topit të Artë”.
Kësaj here italiani preferoi që të mbyllte argumentin duke risjellë në vëmendje situatën e rëndë që po kalon rajoni i Valencias për shkak të përmbytjeve.
“Për ne ai argument është mbyllur tashmë. Vinicius nuk është i mërzitur për ’Topin e Artë’, por për atë çfarë ka ndodhur në Valencia. Mendoj se përballë situatave të tilla mendon se sa të pafuqishëm jemi”, tha trajneri italian, i cili tha se fitorja më e rëndësishme për skuadrën e tij ishte ajo e marrë në fushë përball Borusias së Dortmundit.
Përballë katastrofës që ka prekur një pjesë të mirë të Spanjës, italiani tha se edhe bota e futbollit duhet të ishte më solidare.
“Mendoj se nuk duhet që të zbrisnim në fushë për të luajtur”, tha italiani.