Allegri me mendjen te merkato, kërkon Locatellin dhe një sulmues

Allegri e ka me nxitim të kompletojë sa më shpejt organikën e skuadrës me të cilën do të garojë sezonin e ardhshëm dhe ka udhëzuar drejtuesit të mbyllin marrëveshjen për transferimin në Torino të mesfushorit Manuel Locatelli.

Pas dy sezoneve mjaft të mira me Sassuolon, por edhe ndeshjeve interesante me Italinë e Mancinit, Locatelli ka tërhequr vëmendjen e shumë klubeve, ndaj klubi emilian ka vënë një çmim prej 40 milionë eurosh për kartonin e tij.

Juventus nuk është gati të paguajë kaq shumë në këto momente, por në ditët në vijim pritet një takim mes drejtuesve të të dy klubeve, ku bardhezinjtë do të provojnë të ofrojnë 25 milionë euro kesh, plus disa lojtarë të rinj interesantë si Fagioli, Frabotta, Rovella e Rafia.

Sa i përket sulmit, së fundi ka dalë në skenë opsioni për të marrë në huazim braziliani Gabriel Jesus, por kjo është një pistë mjaft e komplikuar, ndaj bardhezinjtë po shqyrtojnë opsionet e tjera, të cilët i ndjekin prej muajsh.

Kështu i pari është Milik, që mund të largohet nga Marseille për një shifër prej 12 milionë eurosh, por dëmtimi në prag të Kampionatit Europian dhe një gjendje fizike që lë për të dëshiruar, kanë bërë që bardhezinjtë të stepen.

Një opsion mjaft interesant është edhe Edin Dzeko, por fillimisht pritet të shihet se çfarë do të vendosë Jose Mourinho, pasi nëse portugezi nuk e përfshin në planet e tij, gjithçka mund të bëhet më e lehtë.

Vetë Allegri për sulmin preferon Mauro Icardin, por kartoni i argjentinasit kushton jo pak dhe e vetmja mënyrë për të shkuar te ish kapiteni i Interit, është një marrëveshje shkëmbimi me Cristiano Ronaldon, që po ndiqet me interes nga PSG-ja.


Shtuar 9.06.2021 14:08