“Ai po e dëshmon se i takon Premier Ligës”, mediumi anglez e ngrit në qiell Aro Muricin pas paraqitjeve të jashtëzakonshme

Arijanet Muric ka zhvilluar edhe ndeshjen e tij të dytë radhazi në elitën e futbollit anglez Ligën Premier dhe në të dyja ka shkëlqyer.

Debutimi i Aros në Ligën Premier ndodhi ndaj Brentford, ku skuadra e tij Burnley mori një fitore me rezultat 2-1 dhe pikërisht portieri kosovar ishte më i miri në fushë.

Vincent Kompany vendosi t’i besoj atij edhe në një tjetër ndeshje shumë të rëndësishme ndaj Chelseat në Stamford Bridges, derisa Burnley arriti një barazim 2-2 përkundër se ishin me një futbollist më pak në fushë që nga pjesa e parë.

Ky barazim erdhi falë pritjeve heroike që bëri Aro Muric, pasi portieri dardan priti 11 gjuajtje brenda portës dhe mori notën maksimale 10.

E falë dy ndeshjeve spektakolare që i zhvilloi ku mori dy herë çmimin si më i miri i ndeshjes, mediumi i madh britanik ‘The Athletic‘ ka bërë një artikull për portierin dardan, duke shkruar se ai tregoi se meriton të jetë pjesë e Ligës Premier.

“Arijanet Muric po ofron siguri. Ishte i vetmi zëvendësim që trajneri Vincent Kompany nuk kishte provuar. Por pas 28 xhirosh me besim të palëkundur në transferimin e verës, James Trafford, Kompany vendosi të ndërrojë portierin”.

“Muric ishte i jashtëzakonshëm në kampanjën në Championship që përfundoi me titull edicionin e kaluar. Bëri vend në ekipin më të mirë të edicionit, sipas votimit të lojtarëve. Ishte pjesë e ekipit që mburrej me bilancin më të mirë në mbrojtje. Kombinoi ndaljen e gjuajtjeve me kualitetin gjatë posedimit të topit”, ka analizuar ‘The Athletic’.

Shumë nga tifozët kanë vlerësuar se Aros i është bërë e padrejtë që është larguar nga formacioni bazë në Ligën Premier pas një sezoni të mrekullueshëm që zhvilloi në Championship.

“I kufizuar që të luajë në ndeshjet për Kupë, Muricit i ishte mohuar shansi për të dëshmuar që ka kualitetin për Ligën Premier. Ai u kthye në fitoren ndaj Brentfordit dhe të shtunën bëri hapin tutje. Muric i bëri 11 pritje, disa prej tyre vendimtare. Numrin e pritjeve e kombinoi me shpërndarjen e duhur të topave”.

Mediumi britanik ka shkruar në fund se Aro Muric është i denjë për të luajtur në Ligën Premier dhe se ka besimin e bashkëlojtarëve të tij.

“Ai duket si portier i Ligës Premier dhe bashkëlojtarët i besojnë atij. Pyetja tani është se ku do të ishte Burnley sot nëse Muric do të kishte nisur edicionin në portë, apo do të fitonte rastin më herët”, shkruan The Athletic.

Ky medium ka listuar disa aryseje që Burnley mund të qëndrojë në elitën e futbollit anglez dhe njëra nga to është pikërisht forma fantastike e portierit dardan. /Telegrafi/


Shtuar 1.04.2024 15:08