Agnelli “ribashkohet” me Alegrin: Ja ku jemi, sërish përkrah njëri-tjetrit për të mirën e Juventusit

Pavarësisht problemeve dhe hatërmbetjeve, miqësitë e vërteta nuk mbarojnë kurrë.

Ashtu si rasti i Andrea Anjelit dhe Alegrit, të cilët pas dy vitesh rikthehen përsëri bashkë.

Ishte Anjeli ai që largoi Masimiliano Alegrin nga Juventusi.

Në deklaratën e djeshme gazetarët u munduan ta ngacmojnë rreth kësaj, por presidenti i klubit ishte i prerë në përgjigjet e tij.

Të ndalem dhe të zgjatem në prezantimin e Alegrit besoj se është e kotë edhe për të gjithë ju, duke qenë se jemi shumë të informuar mbi palmaresin e karrierës së tij. Te Juventusi Maks ka dhënë një kontribut të pazëvendësueshëm, shkroi pjesën e tij të artë të historisë në këtë klub me trofetë e arkitektura prej tij.

Në dy vitet e fundit së bashku kemi pasur shumë takime, kemi shkëmbyer mjaft opinione të ndryshme edhe se si mund të kishte qenë Juventusi i tij i radhës, në rast se rrugët tona do të ishin bashkuar sërish. Dhe ja ku jemi, sërish përkrah njëri-tjetrit, për të nisur së punuari sërish për të mirën e Juventusit.

E di që të mendosh se suksesi është i garantuar me Alegrin do të ishte një gabim i madh që në start për të gjithë ne. Por në të njëjtën kohë dua t’i përgjigjem edhe dikujt që pëshpëriste se kjo zgjedhje ishte vetëm si rrjedhojë e miqësisë sonë. Po, unë jam mik dhe do të mbetem përjetë i tillë me Masimilianon.

Por nëse Alegri është rikthyer sërish te Juventusi pas dy vitesh mungesë, kjo është vetëm sepse ky person është një fitues, një njeri i denjë për të punuar te Juventusi dhe vetëm kaq”.


Shtuar 28.07.2021 16:35