Rrëmbimi dhe vrasja e Ruzhdi Hoxhës, Prokuroria mbyll hetimet për Fredi Rrushin: Çfarë pretendon organi i akuzës

Prokuroria e Tiranës ka mbyllur hetimet për rrëmbimin dhe më pas ekzekutimin e Ruzhdi Hoxhës dhe ka çuar për gjykim autorin e dyshuar Fredi Rrushi me akuzën e vrasjes.

Sipas burimeve për albeu.com, mësohet se ndaj Fredi Rrushit përveç akuzës së vrasjes rëndon edhe akuza e armëmbajtjes pa leje, zhdukjes së provave dhe zhdukjes së kufomës.

Trupi i pajetë i Rruzhdi Hoxhës u gjet disa ditë pas krimit i groposur në malin e Dajtit.

Nga hetimet ende nuk është gjetur automjeti me të cilin u rrëmbye Hoxha dhe pistoleta me të cilinë është kryer krimi.

Ruzhdi Hoxha u denoncua i zhdukur nga djali i tij mbrëmjen e 24 tetorit 2021.

Djali i tij denoncoi se i kishte humbur kontaktet me babain prej 3 ditësh.

Pas 13 ditësh, më 6 nëntor 2021, Rruzhdi Hoxha u gjet i pajetë në malin e Dajtit.

Policia zbuloi një plagë pas koke e cila ishte shkaktuar nga një armë zjarri.

Pasi u qëllua pas kokës, Hoxha u hodh në greminë, ku u gjet i mbuluar me zhavorr dhe gjysmë i dekompozuar.

Kujtojmë se për ngjarjen u arrestua Fredi Rrushi si autor i dyshuar i vrasjes./albeu.com/