Regjistrohen 80% e studentëve nëpër universitete, ja cila degë ishte favorite

Raundi i parë i regjistrimeve nëpër universitete u mbyll dhe 80% të aplikantëve janë regjistruar tashmë. Në vendin tonë numërohen gjithsej 43 Institucione të Arsimit të Lartë ILA, nga të cilat 14 janë publike.

Të gjitha së bashku ofrojnë 650 programe studimi.

“Në këtë viti akademik aplikuan 19700 maturantë. Në raundin e parë u regjistruan mbi 16 mijë një ecuri shumë e mirë kjo. Në raundin e dytë që nis në 19 shtator dhe zgjat 3 ditë pritet të regjistrohen 7800 maturantë, ku përfshihen të gjithë ata që nuk u regjistruan dot në 7 fazat e para, ata që përfundojnë me sukses vjeshtën dhe aplikantët e rinj me formularin A1Z. Ne parashikojmë që numri total I të regjistruarve të shkojë në 22 mijë”, tha Arjan Xhelaj, drejtor i Rrjetit Akademik Shqiptar.

Sipas ‘Top Channel’, veçoria e këtij vit është që u kthye përsëri në vend të parë Mjekësia me procesin më të shpejtë të regjistrimeve. Brenda 4 ditëve u mbyll procesi I regjistrimeve tek Mjekësia. Fakulteti i Mjekësisë i ezauroi pothuaj të gjithë kuotat, Mjekësia e Përgjithshme 100%, Farmacia 100%, Stomatologjia 100%. Ecuri të mirë pati edhe Fakulteti I Shkencave Mjekësore me Infermierinë që është në masën 98%. Gjithashtu ecuri shumë të mirë patën Inxhinieritë, duke veçuar këtu Teknologjinë e Informacionit.

Për sa u përket degëve prioritare siç duken me ndryshimet e fundit që ka bërë Universiteti i Tiranës, Fakulteti i Shkencave të Natyrës duke i përshtatur e duke future degë të reja, kombinimi i Fizikës, Matematikës me Shkencat Kompjuterike, por edhe Kimia me degën e Farmaceutikës bënë të mundur që numri i të regjistruarve në këto programe të ishte me i lartë se viti i kaluar.


Shtuar 17.09.2024 17:44